Sivjet më pak mjaltë, por cilësia ruhet. Ndryshimet klimatike kërkojnë kujdes të shtuar në çdo faze

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ndryshimet klimatike po lënë gjurmë edhe në bletari. Temperaturat e larta dhe mungesa e  reshjeve kanë ndikuar në zhvillimin e bletëve dhe, për pasojë, në sasinë e mjaltit të prodhuar. Në Përmet, një nga zonat e njohura për prodhimin e mjaltit cilësor, bletarët raportojnë një sezon më të vështirë se vitet e mëparshme.

Bletërritësi Fatos Okolishta thotë se, pavarësisht kushteve të pafavorshme, cilësia e mjaltit është ruajtur, ndërsa sasia e prodhuar ka qenë më e ulët.

“Sivjet pavarësisht se pranvera u paraqit shumë e mirë, por për prodhim, për sasinë e mjaltit nuk ishte në ato që ishim vjet edhe parvjet. Ishte një sasi më pak nga vitet e kaluara. Këto tani janë për arsye të kohës të shirave. Tani mbas shirave ishte thatësira”, tha ai.

Por për bletarët, sfida e sotme nuk lidhet vetëm me ruajtjen e cilësisë. Ndryshimet e motit po i detyrojnë ata të tregojnë më shumë kujdes dhe të përshtatin mënyrën e menaxhimit të koshereve me kushtet e reja klimatike.

“Për sa i përket bletarisë bëhet transporti në bazë të kullotave, po sivjet nuk i lëvizëm për arsye të kohës. Tani presim, kemi vetëm në tetor, nëntor që presim mjaltin e mares”, tha ai.

Megjithëse sasia e mjaltit është më e ulët, bletarët e Përmetit vijojnë të ruajnë traditën dhe cilësinë e prodhimit.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme