Fluks në Muriqan, mbi 34 mijë shtetas në një ditë, punohet me sportele shtesë
Këto ditë, pjesa më e madhe e udhëtarëve janë në dalje nga vendi ynë.
Turistët e huaj po i japin fund pushimeve në Shqipëri dhe po kthehen drejt vendeve të tyre, ndërsa qytetarët nga Kosova vijojnë të zgjedhin pikën kufitare të Muriqanit për të kaluar drejt Ulqinit.
“Jam nga Italia. Shëtita disa ditë në Shqipëri. Gjirokastra më pëlqeu shumë, Saranda kishte trafik, ndërsa Shkodra është e bukur. Tani po rikthehem dhe në kalim dua të ndalem pak edhe në Mal të Zi e Kroaci.”
Sipas të dhënave të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, vetëm gjatë së shtunës janë përpunuar të dhëna për 34.094 shtetas në hyrje dhe dalje, ku 10.808 kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 23.286 kanë dalë nga vendi.
Autoritetet kufitare bëjnë të ditur se kanë marrë masa për përballimin e fluksit, me qëllim shmangien e vonesave dhe përpunimin sa më të shpejtë të udhëtarëve dhe mjeteve në pikën kufitare të Muriqanit.
Në momente me radhë të gjata është punuar me 5 sportele, ndërkohë që herë pas here, në koordinim me palën malazeze, aplikohet kalimi me procedurë të përshpejtuar.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



