Dhjamosja e mëlçisë, gastrohepatologia: Ushqyerja jo e shëndetshme dhe alkooli ndër faktorët kryesorë
Dhjamosja e mëlçisë është një problem shëndetësor i shpeshtë që mund të shfaqet pa simptoma të dukshme. Gastrohepatologia Erjola Gjika shpjegon se cilët janë faktorët që ndikojnë më shpesh në dhjamosjen e mëlçisë.
“Në shumicën e rasteve njerëzit ushqehen jo mirë, me ushqime me mënyra të tepërta shtazore ose të gatuara jo shëndetshëm, të cilat gradualisht, për kalimin e viteve, depozitohen në formën e yndyrnave në mëlçi. Alkooli gjithashtu ka këtë lloj metabolizmi që, duke u metabolizuar, depozitohet në mëlçi si yndyrë ose dhe pijet energjike. Kështu që kjo kequshqyerja ose, domethënë, një regjim i shëndetshëm bën që depozitimi i yndyrës në qelizën e mëlçisë gradualisht bëhet steatoza ose dhjamosja e saj” , tha mjekja.
Identifikimi i hershëm është i rëndësishëm, pasi steatoza mund të jetë për një kohë të gjatë pa shenja të qarta.
“Për fat të keq, ne nuk e kapim ndonjëherë fazat e para, sepse nuk jep asnjë lloj ankese ose shqetësimi. Rastësisht, kur vijnë me një kuadër analizash që mund të kenë transaminazat e larta ose, në qoftë se bëjnë një eko barku për një arsye tjetër, mund të shikohet një mëlçi e dhjamosur”, tha ajo.
Ndryshimet në stilin e jetesës luajnë rol të rëndësishëm në frenimin e përparimit të sëmundjes.
“Në radhë të parë është një stil jetese i shëndetshëm. Ne duhet të kemi parasysh të shtojmë aktivitetin fizik, të kemi kujdes në mënyrën e ushqyerjes. Janë të dëmshme alkooli, pijet energjike, pijet me gaz që kanë sheqer të tepërt dhe është shumë e rekomanduar të pimë të paktën deri në 10 gota ujë në ditë dhe kujdes marrjen e yndyrnave shtazore me dietë”, nënvizoi ajo.
Kontrollet periodike, ushqyerja e ekuilibruar, aktiviteti fizik dhe trajtimi i faktorëve të rrezikut mbeten ndër masat kryesore për të mbrojtur shëndetin e mëlçisë.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




