Kontroll digjital në dogana, 25 platforma do të monitorojnë mallrat në hyrje dhe dalje

Ekonomi | 2 muaj më parë

Shqipëria po ngre strukturën e kontrollit dhe verifikimit në dogana, në përputhje me kërkesat europiane. Zv. ministri i Ekonomisë, Endrit Yzeiraj, e bëri të njohur procesin që përmban kapitulli 29, i nxitur edhe më tej nga mbyllja e përkohshme e kapitullit 30.

 “Jemi në proces ndërtimi 25 sisteme të reja dixhitale. Një pjesë e këtyre janë sisteme dixhitale të cilat do funksionojnë prapa perdes. Pra, konsumatorët, bizneset nuk do e kuptojnë që, në fakt, ka një sistem të ri që po funksionon aty pas, por janë shumë të rëndësishme për autoritetet doganore për të shkëmbyer të dhënat dhe për të marrë të dhëna në mënyrë automatike”, tha ai.

Varësisht rënies së marrëveshjeve ekzistuese madje edhe atyre të mëparshme me BE-në, procesi që parashikon hyrje-daljen e mallrave drejt dhe nga Shqipëria parakupton para së gjithash një kufi që do të jetë europian.

“Do të kenë një dritare, një pikë hyrjeje për të bërë çdo lloj kërkese që ata kanë, qoftë për kërkesa të ndryshme që kanë të bëjnë me pjesën tatimore, le të themi, por dhe kërkesa që kanë të bëjnë me aprovimin për sa i përket standardeve të sigurisë ushqimore, produkteve me përdorim të dyfishtë, produkteve të ndryshme elektronike që duhet të kenë tashmë standardet e Bashkimit Europian e të tjerë. Pra, 14 autoritete të ndryshme do të ndërveprojnë me operatorët ekonomikë në pika doganore nëpërmjet asaj që quhet dritarja unike kombëtare, një sistem që do të duhet të jetë operativ, ose le të themi në fazat e para të operimit, diku rreth fundit të vitit 2027, fillimit të vitit 2028”, tha Yzeiraj.

Praktikisht dogana shqiptare duhet të jetë në gjendje të dallojë, që në momentin e hyrjes ose daljes së mallit, se si një ngarkesë me verë, sheqer, mish, produkte bulmeti, grurë apo mallra të tjera trajtohet apo nëse përfiton nga një kuotë a tarifë preferenciale.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme