Presidenti i Iranit: Mbyllja e luftës dhe ruajtja e unitetit, prioritet i qeverisë

Botë | 2 muaj më parë

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se mbyllja e luftës dhe ruajtja e unitetit kombëtar përbëjnë prioritetet kryesore të qeverisë së tij.

Në një deklaratë të raportuar nga mediat iraniane, ai theksoi se memorandumi i mirëkuptimit (MoU) i nënshkruar në Islamabad mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nuk erdhi si rezultat i nënshtrimit, por “nga logjika dhe ndërgjegjësimi”.

Sipas mediave iraniane, Pezeshkian pretendoi se armiqtë e vendit kuptuan se nuk ishin në gjendje ta mposhtnin Iranin me mjete ushtarake.

Për këtë arsye, sipas tij, ata kanë ndryshuar strategjinë dhe janë fokusuar në nxitjen e problemeve sociale dhe të pakënaqësisë ekonomike brenda vendit, me qëllim dobësimin e unitetit të brendshëm.

Presidenti iranian e lidhi këtë situatë me nevojën për unitet kombëtar, duke e konsideruar atë si faktor kyç për përballimin e sfidave të jashtme dhe të brendshme.

Ai përsëriti se qeveria e tij do të vazhdojë të punojë për mbylljen e konfliktit dhe për mbrojtjen e kohezionit social të vendit.

“Mbyllja e luftës dhe ruajtja e unitetit janë prioritete të qeverisë sime,” deklaroi Pezeshkian, duke nënvizuar se këto dy objektiva mbeten në qendër të politikës së administratës së tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme