Kroçera “Seabourn Quest” ankoron në Sarandë, turistët vizitojnë Ksamilin dhe Butrintin
Porti i Sarandës vijon të jetë një nga portat kryesore hyrëse për turistët e huaj gjatë sezonit veror. Rreth 500 vizitorë të huaj mbërritën këtë të mërkurë në terminalin e portit, me kruazierën “Seabourn Quest”.
Turistët, të kombësive të ndryshme, mes tyre francezë, belgë, kroatë, bullgarë, si edhe vizitorë nga Hondurasi e Zimbabve, u bënë pjesë e një guide disaorëshe në jug të vendit.
Gjatë qëndrimit në Sarandë, ata vizituan qytetin, Ksamilin, Parkun Kombëtar të Butrintit si dhe Parkun Natyror të Syrit të Kaltër.
“Seabourn Quest” mbërriti në Gjirin e Sarandës si pjesë e itinerarit të saj mesdhetar, i cili më 26 gusht nisi nga porti i Brindizit në Itali. Kjo ishte hera e pestë që kruaziera përfshiu Sarandën në itinerarin e saj.
Sipas burimeve portuale, qëndrimi i anijes në Sarandë ishte disaorësh dhe ajo pritet të largohet pasditen e kësaj të mërkure, me destinacion brigjet e Zakinthos në Greqi.
Me mbërritjen e “Seabourn Quest”, numri i anijeve turistike që kanë prekur Sarandën këtë sezon shkon në 47, ndërsa 19 prej tyre janë të kategorisë së kruazierave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




