Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, grupet e interesit njihen me ndikimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore

Aktualitet | 2 muaj më parë

Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit u prezantua në një dëgjesë publike në Bashkinë Shkodër. Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe grupe të interesit. Gjatë dëgjesës u fol për punimet që parashikohen të kryhen, por edhe për ndikimin social dhe mjedisor që do të ketë projekti në zonat ku kalon hekurudha.

“Në aspektin e fazës ku ndodhet projekti, projekti i Vorë-Han i Hotit është në fazën e tenderit për përcaktimin e kontraktorit të punimeve. Kontraktori do të jetë njëkohësisht edhe projektues, edhe zbatues. Kjo do të thotë se, në momentin që shpallet fituesi, do të ketë një periudhë prej gjashtë deri në nëntë muajsh për rishikimin dhe finalizimin e projektit. Kjo periudhë do të shërbejë gjithashtu për mobilizimin e stafit të tyre në terren. Kështu që, shpresojmë që brenda një viti të fillojnë punimet”, u shpreh Eriton Hasaj, Specialist për marrëdhëniet me komunitetin, HSH.

Në territorin e Bashkisë Shkodër parashikohet rehabilitimi i linjës ekzistuese, ndërhyrje në ura dhe kalime hekurudhore, si dhe masa për rritjen e sigurisë.

“Ato vendkalime janë parashikuar në projekt. Vendkalimet që janë të paautorizuara do të mbyllen dhe, në vend të tyre, do të ndërtohen kalime të autorizuara. Këto kalime të autorizuara do të jenë vende ku do të mund të aksesohen dhe të lëvizin mjetet dhe njerëzit. Do të jenë kalime në nivel, siç i quajmë ne, dhe do të jenë të sigurta nga pikëpamja e sigurisë”, tha Dhimitraq Marku, konsulent.

Projekti ka hyrë tashmë në fazën e përzgjedhjes së kontraktorit që do të kryejë punimet. Sipas parashikimeve, ndërhyrjet në linjën hekurudhore Vorë–Hani i Hotit pritet të përfundojnë deri në vitin 2030.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme