Mijëra viktima nga i nxehti në Gjermani, Evropa vijon të digjet, autoritetet në Holandë në alarm

Europë | 2 muaj më parë

Rreth 15. 800 persona ndërruan jetë nga temperaturat tejet të larta që përfshinë këtë vit Gjermaninë. Kjo sipas institutit Robert Koch, autoriteti përgjegjës për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, sipas të cilit 9. 600 viktima humbën jetën nga i nxehti ekstrem që goditi vendin në fund të qershorit.

Instituti bëri me dije se shifrat që publikoi përfaqësojnë vlerësim konservator, çka do të thotë se numri i viktimave nga i nxehti i mund të jetë më i lartë, që ka shkaktuar infarkt në një numër rastesh, ndërsa në raste të tjera viktimat mund të kenë ndërruar jetë nga kombinimi i të nxehtit me sëmundje të tjera nga të cilat mund të kenë vuajtur.

Më shumë se gjysma e rasteve të humbjeve të jetëve, rreth 7960, ishin të moshuar të moshës mbi 85 vjeç, rreth 3900 të tjerë të moshës nga 75 deri në 84 vjeç, rreth 2440 të grup moshës nga 65 deri në 74 vjeç dhe 1470 ishin të moshës nën 65 vjeç. Pjesa më e madhe e tyre ishin gra.

Gjermania por edhe shumë vende të Evropës u përballën këtë verë me disa valë të nxehti që u shoqëruan me temperatura tejet të larta dhe thatësirë. Një nga këto vende ishte edhe Holanda raportoi se vera e këtij viti do të jetë më e nxehta në atë vend që të paktën nga viti 1901 kur nisën të regjistroheshin matjet e temperaturave.

Gjithçka nisi në qershor që zakonisht është muaji me temperaturat më të ulëta të verës, u shpreh për mediat holandeze një specialist i Institutit Meteorologjik Mbretëror të Holandës, sipas të cilit një verë e tillë pritet të përsëritet çdo pesë vite me kushtet aktuale klimatike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme