“Një shtëpi, dy kohë”, banesa e Migjenit lidh historinë e poetit me misionin fetar
Migjeni mbetet një prej poetëve më të rëndësishëm shqiptarë. Në krijimtarinë e tij ai shkroi për varfërinë, mjerimin dhe vështirësitë e njerëzve të thjeshtë, duke sjellë realitetin e kohës në të cilën jetoi.
Në Shkodër ndodhet ende ndërtesa ku dikur banoi poeti. Sot ajo është kuvendi i Motrave Françeskane Misionare të Jezusit Fëmijë, ndërsa një pllakë në fasadë kujton lidhjen e saj me Migjenin.
Brenda nuk ruhen më objekte të poetit, por një prej motrave gjen një lidhje mes veprës së Migjenit dhe misionit që ato kryejnë sot.
“Kjo shtëpi nuk i përkiste Migjenit; i përkiste familjes Trimeqev, e cila ishte familja e një mjeku. Por, sipas informacioneve që ne kemi, poeti Migjeni, për një periudhë të jetës së tij, ka banuar këtu, pasi ishte i mikpritur, me sa di unë. Kjo ishte familja e tezes së Migjenit.
Kjo shtëpi i ka dyert e hapura për qytetin. E para, sepse mikpritja është një virtyt shqiptar; i ka dyert e shtëpisë të hapura për familjet e qytetit. Çfarë na lidh ne me Migjenin? Unë mendoj se nuk është thjesht një objekt, por, njësoj si me gjithë poetët e tjerë apo me gjithçka tjetër, kjo shtëpi quhet monument kulture. Për mua, nuk është një monument. Një monument është i vdekur. Kjo është një shtëpi, pra një banesë, një vend i gjallë ku jetojnë disa persona, që jemi ne, katër motra françeskane të Jezusit Fëmijë. Sidomos, kjo shtëpi është e hapur për fëmijët e qytetit gjatë gjithë vitit”, u shpreh murgesha misionare Lula Mecaj.
Kujtesa për Migjenin ruhet edhe në qendër të Shkodrës. Përpara teatrit që mban emrin e tij qëndron busti i poetit, si dëshmi e lidhjes së tij me qytetin.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




