Ministrja Ismaili për ndarjen nga jeta të Ana Dyrmishit: Tragjedia duhet të na bëjë edhe më të përgjegjshëm

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka reaguar sot pas ndarjes nga jeta të Ana Dyrmishit, 25-vjeçarja që humbi jetën pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar duke e dërguar për kurim në Turqi.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, ministrja shprehu dhimbjen e thellë për këtë humbje tragjike, duke theksuar se ngjarja duhet të shërbejë si një thirrje për rritjen e përgjegjshmërisë dhe respektimin rigoroz të standardeve të sigurisë.
“Ana sot ndërroi jetë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve, ndihmës së specializuar dhe angazhimit maksimal për ta shpëtuar. Më dhemb që një ngjarje e tillë, sado aksidentale në origjinën e saj, përfundoi me humbjen e një jete. Por kjo tragjedi duhet të na bëjë edhe më të përgjegjshëm”, shkruan Ismaili.
Ajo nënvizoi se ngjarja nxori në pah problematika që duhej të ishin parandaluar përmes kontrolleve dhe respektimit të rregullave.
“Siguria në çdo strukturë akomoduese nuk mund të jetë thjesht një detyrim formal. Rregullat janë aty për të mbrojtur jetë dhe duhet të zbatohen pa asnjë tolerim, në mënyrë që një aksident të mos kthehet më kurrë në tragjedi”, theksoi ministrja.
Në fund të reagimit, Ismaili shprehu ngushëllimet më të ndjera për familjen dhe të afërmit e Anës:
“Ana, prehu në paqe! Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të saj.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




