Pastrohen kanalet kulluese në Trush dhe Dajç, hapet kanali kryesor me gjatësi rreth 9.7km
Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit, po vijon punën për pastrimin e plotë të kanalit kryesor kullues në zonën e Nënshkodrës, me një gjatësi prej 9.7 kilometrash.
Ndërhyrja synon përmirësimin e funksionimit të të gjithë rrjetit kullues në zonat e Dajçit dhe Trushit, duke mundësuar largimin më të shpejtë të ujërave dhe reduktuar rrezikun e përmbytjeve.
“Po bëjmë një ndërhyrje në kanalin e gjashtë, i cili përfshin pothuajse të gjithë zonën e fushës së Trushit, të Dajçit dhe të gjithë zonën në Shkodër. Është një fakt që, pas punimeve që ne kemi kryer në kanalet e dyta dhe të treta, kjo ndërhyrje në kanalet e para, në bashkëpunim me Bordin Rajonal të Lezhës, po e bën jashtëzakonisht funksionale skemën e kullimit. Kuptohet, kjo është një përkujdesje që Bashkia Shkodër, nëpërmjet këtij bashkëpunimi, po bën në shërbim të fermerëve, duke dalë përpara problematikave që mund të sjellin reshjet e muajve të ardhshëm. Në të gjithë fushën e Nënshkodrës është kryer pastrimi i plotë i të gjithë skemës së kullimit”, u shpreh Muhamet Muça, Përgjegjës Ndërmarrja e Shërbimeve Publike.
Pastrimi i kanalit i shërben drejtpërdrejt mbrojtjes së tokave bujqësore, përmirësimit të kushteve për fermerët dhe banorët, si dhe rritjes së kapacitetit kullues në të gjithë zonën.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




