Tekstet shkollore mbërrijnë në Gjirokastër, risi kurrikulat e reja për klasat I, VI, X
Tekstet shkollore për vitin e ri arsimor 2026-2027 kanë mbërritur në Gjirokastër dhe së shpejti do të nisin të shpërndahen në të gjitha institucionet arsimore.
Një ndër risitë e këtij viti është përfshirja e kurrikulave të reja për klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta.
“Për vitin e ri shkollor janë marrë të gjitha masat dhe drejtoritë e shkollave kanë komunikuar me distributorët.
Të gjitha tekstet pothuajse kanë mbërritur pranë distributorëve dhe janë gati për t’u shpërndarë nëpër shkolla. Këtë vit shkollor tekstet nga klasa e parë deri në klasën e pestë janë të reja dhe falas, ndërsa nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë janë në përdorim. Gjithashtu, për shtresat e margjinalizuara që plotësojnë kritere të ndryshme, tekstet janë falas deri në klasën e 12-të”, shprehet Etleva Yzo Drejtoreshë e Zyrës Vendore Arsimore Gjirokastër-Libohovë.
Në fokus të procesit mbetet edhe organizimi i shpërndarjes, në mënyrë që çdo shkollë të jetë e pajisur me tekstet përkatëse përpara nisjes së mësimit.
“Po shpërndahen sipas shkollave. Normalisht shkollat fillojnë diku, mësueset fillojnë diku tek 1 shtatori. Ne atëherë do të jemi gati për t’i çuar shkollë më shkollë librat, jo më shumë se katër ditë. Domethënë, brenda datës 5 çdo shkollë do të ketë librat pranë”, thekson Zia Mahmutaj, përgjegjës për shpërndarjen e teksteve.
Sipas të dhënave të Zyrës Vendore Arsimore Gjirokastër-Libohovë, rreth 3000 nxënës pritet të nisin vitin e ri shkollor 2026-2027 në institucionet arsimore të zonës.
Me përfundimin e shpërndarjes së teksteve, shkollat i drejtohen tashmë përgatitjeve të fundit për të pritur nxënësit në ditën e parë të mësimit.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




