26 vatra zjarri, 4 aktive dhe 2 nën mbikqyrje, riaktivizohet vatra në Malin e Dajtit

Aktualitet | 2 muaj më parë

26 vatra zjarri u raportuan gjatë orëve të fundit në territorin e vendit dhe sipas Ministrisë së Mbrojtjes katër mbeten aktive, ndërsa dy janë nën monitorim.

Situata më problematike vijon të jetë në malin e Dajtit, në drejtim të Qafë Priskës, ku janë evidentuar riaktivizime dhe zgjerim i zjarrit. Atje po marrin pjesë 15 zjarrfikës, por edhe efektivë të Forcave të Armatosura.

Vatra aktive raportohen edhe në qarkun e Dibrës, në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë. Në Vajkal po marrin pjesë më shumë se 38 forca zjarrfikësish, si dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërsa në Sllatinë janë angazhuar 91 forca dhe, sipas autoriteteve, zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Edhe në Elbasan situata është përmirësuar. Vatrat në malin e Dardhës dhe në malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje.

Në përballimin e situatës në rang vendi janë angazhuar 315 forca operacionale. Në mbështetje janë përdorur edhe katër helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin, ndërsa strukturat mbeten në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme