Hapi i radhës drejt integrimit, Qeveria ngre mekanizmin ligjor për buxhetin e përbashkët evropian

Politikë | 2 muaj më parë

Shqipëria ka hedhur një hap të ri në përgatitjet teknike dhe administrative për integrimin evropian. Ministria e Financave ka hartuar projektligjin “Për kontributin kombëtar të Republikës së Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Evropian”, një dokument që ngre infrastrukturën ligjore për mënyrën se si vendi ynë do të llogarisë, planifikojë dhe paguajë detyrimet e tij financiare pas hyrjes me të drejta të plota në union.

Nisma vjen si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj detyrimeve të Kapitullit 33 të negociatave, i njohur si “Dispozitat financiare dhe buxhetore”. Sipas relacionit shpjegues të Ministrisë së Financave, deri më sot ka munguar një kuadër ligjor horizontal që të rregullojë mekanizmat ndërinstitucionalë për këtë proces.

Dokumenti thekson se miratimi i këtij ligji garanton “përgatitjen e institucioneve shtetërore për zbatimin e acquis communautaire në fushën e Burimeve të Veta”, duke pasur si synim kryesor minimizimin e “rrezikut të korrigjimeve financiare, penaliteteve apo interesave të vonesës” që mund t’i kushtonin shtrenjtë buxhetit të shtetit nga raportimet e pasakta.

Projektligji, i strukturuar në 22 nene, mandaton Ministrinë e Financave si Autoritetin Kombëtar Koordinues. Megjithatë, procesi do të kërkojë një bashkëpunim të ngushtë me institucione të tjera kyçe, duke përfshirë Institutin e Statistikave (INSTAT), Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Ministrinë përgjegjëse për mjedisin. Për të shmangur fragmentimin e të dhënave, nisma ligjore parashikon ngritjen e “Bazës Kombëtare të të Dhënave për Burimet e Veta të Bashkimit Evropian”, e cila do të shërbejë si një sistem i unifikuar që siguron integritetin dhe gjurmueshmërinë e informacionit statistikor e doganor sipas standardeve evropiane.

Lidhur me efektet në buxhetin e shtetit, relacioni i firmosur nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, sqaron se faza e para-anëtarësimit nuk do të sjellë kosto të drejtpërdrejta financiare për qytetarët. Nevojat për përmirësimin e sistemeve informatike dhe trajnimin e administratës pritet të mbulohen nga buxhetet ekzistuese të institucioneve, si dhe përmes “fondeve të asistencës së para-anëtarësimit dhe instrumenteve të tjera mbështetëse të Bashkimit Evropian”.

Pagesat e mirëfillta të Shqipërisë drejt buxhetit të përbashkët evropian do të aktivizohen zyrtarisht vetëm në momentin kur vendi të fitojë statusin e anëtarit të plotë të Bashkimit Evropian.

Më poshtë paraqiten pikat kryesore të projektligjit 

Kreu / Fusha Pika Kryesore / Institucioni Përshkrimi i Detyrimeve dhe Funksioneve
I. Qëllimi dhe Objekti Kontributi Kombëtar në BE Përcakton rregullat për llogaritjen dhe pagimin e kontributit të Shqipërisë në buxhetin e BE-së, bazuar në 4 shtylla: Doganat (burime tradicionale), TVSH, e Ardhura Kombëtare Bruto (AKB) dhe mbetjet plastike të paricikluara.
II. Korniza Institucionale Komiteti Kombëtar Organi më i lartë politik drejtues, i kryesuar nga Ministri i Financave, që mbikëqyr përmbushjen e detyrimeve ndaj BE-së.
Ministria e Financave Autoriteti Koordinues Kombëtar; konsolidon të dhënat, administron Bazën Kombëtare të të dhënave, përllogarit TVSH-në, dhe kryen pagesat në buxhetin e BE-së.
INSTAT Përgjegjës për llogaritjen dhe raportimin e të Ardhurave Kombëtare Bruto (AKB) sipas standardit ESA 2010 dhe transmetimin në Eurostat.
Administrata Doganore Mbledh dhe raporton burimet tradicionale të veta (detyrimet doganore), administron Llogaritë “A” dhe “B”, dhe raporton rastet e mashtrimeve/parregullsive.
Administrata Tatimore Prodhon dhe administron të dhënat për llogaritjen e bazës së harmonizuar të TVSH-së.
Ministria e Mjedisit Përllogarit dhe raporton sasinë e mbetjeve të paketimeve plastike që nuk riciklohen.
III. Planifikimi dhe Raportimi Buxhetimi dhe Afatet Kontributi kombëtar dhe korrigjimet e mundshme planifikohen në buxhetin e shtetit. Përcaktohen afate strikte raportimi (p.sh., Doganat çdo muaj, Tatimet e Mjedisi para marsit, INSTAT para shtatorit).
IV. Menaxhimi i të Dhënave Baza Kombëtare e të Dhënave Krijohet një sistem i unifikuar (menaxhuar nga Ministria e Financave) për grumbullimin, ruajtjen dhe gjurmueshmërinë e të gjitha të dhënave që llogarisin kontributin.
V. Auditimi dhe Kontrolli Verifikimi Kombëtar dhe i BE-së Të dhënat i nënshtrohen auditimit të brendshëm dhe verifikimeve të jashtme nga Komisioni Evropian, Eurostat dhe Gjykata Evropiane e Audituesve pas anëtarësimit.
VI. Masat dhe Sanksionet Shkeljet administrative Mosraportimi në kohë, të dhënat e pasakta ose mosbashkëpunimi shoqërohen me kërkesë për masa korrigjuese dhe përgjegjësi administrative/disiplinore për institucionet.
VII. Dispozitat Kalimtare Hyrja në fuqi dhe Zbatimi Aktet nënligjore miratohen brenda 6 muajve. Institucionet kanë 24 muaj kohë për t’u përgatitur. Pagesat dhe detyrimet financiare nisin vetëm ditën e anëtarësimit në BE.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme