“24 orë nga jeta e një votuesi”, shfaqja me regji nga Driada Dervishi ngjitet në skenën e Koko Fest

Kulturë | 2 muaj më parë

Si konkurruese e edicionit të 14-të të Koko Fest, në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, u ngjit shfaqja “24 orë nga jeta e një votuesi”, me regji të Driada Dervishit.

Përmes situatave dhe personazheve të sjella në skenë, shfaqja trajton marrëdhënien e individit me shoqërinë dhe realitetin politik, duke e përcjellë mesazhin përmes gjuhës së komedisë.

Regjisorja Driada Dervishi dhe trupa e aktorëve sollën një interpretim të ndërtuar mbi ritmin, dialogun dhe situatat komike, ndërsa publiku korçar e ndoqi shfaqjen si një prej produksioneve konkurruese të këtij edicioni.

“Është një nga vështirësitë më të mëdha, që është e vërteta kjo, dhe që personazhi futet shpesh në karakter, futet shpesh në personazhe të ndryshëm, të cilët i ka pasur gjatë jetës së tij, por ka dhe rrëfimtarin. Treshja, domethënë, e personazheve bën që personazhi të jetë edhe shumë i lodhshëm.

Edhe në këtë festival takohemi me njëri-tjetrin, rrimë me njëri-tjetrin, flasim me kolegët, flasim për shqetësimet tona, flasim për problemet tona dhe kjo është një gjë shumë e mirë që duhet të ndodhë gjithmonë.

Edhe shpresoj që ky festival të ketë një jetëgjatësi shumë të madhe dhe ta ndjekin edhe qytetet e tjera që të bëjnë diçka më të bukur, të bëjnë diçka për veten e tyre, për artin, për kulturën në qytetet e tyre, siç bën Korça”, tha aktori Arben Derhemi.

“24 orë nga jeta e një votuesi” i bashkohet kështu programit të Koko Fest, në një festival që përmes komedisë vijon të sjellë në Korçë trupa dhe produksione nga skena të ndryshme të vendit.

Gazetare: G. Manushi   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme