Universiteti i Shkodrës, rriten regjistrimet me 25% në fazën e parë, priten studentët e parë të huaj

Arsim | 2 muaj më parë

Procesi i regjistrimeve për vitin e ri akademik po vijon me ritme të kënaqshme në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Detaje mbi ecurinë e procesit i bëri të ditura rektorja e Universitetit të Shkodrës, Blerta Dragusha, gjatë një konference për mediat.

“Deri tani kanë përfunduar dy fazat e para të regjistrimeve, ndërkohë që sot përfundon edhe faza e tretë e regjistrimeve. Në fazën e parë të regjistrimeve, e filluar më datën 26 gusht, ka 25% më tepër regjistrime sesa vitin e kaluar në të njëjtën fazë.

Ndërkohë që faza e dytë e regjistrimeve është mbyllur në total me një vlerë prej 12% më tepër sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Jemi optimistë që jemi me një trend rritës të regjistrimeve krahasuar me vitin e kaluar”, tha Prof. Dr. Blerta Dragusha Rektore, Universiteti “Luigj Gurakuqi”.

Një tjetër risi e vitit të ri akademik lidhet me procesin e ndërkombëtarizimit.

“Universiteti “Luigj Gurakuqi” pret të mirëpresë studentët e parë të huaj. Ka një interes të ndjeshëm për programin e studimit bachelor në administrim biznesi në gjuhën angleze. Ka disa studentë të huaj të interesuar për t’u regjistruar në këtë program dhe besoj që këtë vit do të kemi dhe studentët e parë ndërkombëtarë në Universitetin e Shkodrës. Përveç kësaj, edhe ka një interes lehtësisht të rritur nga studentët e trojeve për t’u regjistruar në Universitetin e Shkodrës”, tha ajo.

Procesi i regjistrimeve do të vijojë edhe në fazat e tjera. Me përfundimin e tij do të përcaktohet edhe numri përfundimtar i studentëve të rinj që do të nisin studimet në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”.

Gazetar: M. Gjini       

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme