Fund i misterit 30-vjeçar! Dwayne “Keffe D” Davis shpallet fajtor për vrasjen e Tupac Shakur

Botë | 2 muaj më parë

Pas gati 30 vitesh mister, teori konspirative dhe hetime të shumta, çështja e vrasjes së legjendës së hip-hopit, Tupac Shakur, ka marrë një kthesë historike. Dwayne “Keffe D” Davis,është shpallur fajtor për vrasjen e reperit amerikan nga një juri në Las Vegas. Të 12 anëtarët e jurisë votuan unanimisht për fajësinë e Davis, duke e shpallur atë fajtor për vrasje të shkallës së parë me armë zjarri, një vepër që mund të sjellë dënim deri në burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht. Vendimi u dha pas rreth tre orësh diskutime.

Davis, i cili ishte deklaruar i pafajshëm, qëndroi i qetë në sallën e gjyqit ndërsa u lexua vendimi. I veshur me një kostum të zi, ai nuk shfaqi shumë emocione dhe menjëherë pas vendimit bëri të ditur se do ta apelojë dënimin. Pas përfundimit të seancës, në sallën e gjyqit pati momente emocionale, me disa persona që shpërthyen në lot dhe përqafuan një prej prokurorëve.

Tupac Shakur ishte vetëm 25 vjeç kur u qëllua për vdekje në Las Vegas, më 7 shtator 1996. Reperi po udhëtonte në një BMW së bashku me Marion “Suge” Knight, bashkëthemeluesin e Death Row Records, kur një Cadillac i bardhë u afrua pranë tyre dhe u qëlluan disa plumba. Shakur u plagos rëndë dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë. Në atë kohë, ai ndodhej në kulmin e karrierës dhe ishte shndërruar në një prej figurave më të fuqishme të kulturës hip-hop. Gjatë karrierës së tij, ai shiti më shumë se 75 milionë disqe në mbarë botën.

Autoritetet e kishin pasur Davis në radar prej vitesh, por për një kohë të gjatë nuk kishin prova të mjaftueshme për ta arrestuar. Vetë Davis kishte bërë deklarata publike që e lidhnin me ngjarjen. Në intervista dhe në një libër të shkruar bashkërisht prej tij, ai kishte pranuar se ndodhej në Cadillac-un e bardhë nga ku u kryen të shtënat dhe se kishte siguruar armën. Megjithatë, Davis kishte mohuar se ishte ai personi që tërhoqi këmbëzën dhe qëlloi Tupac Shakurin.

Sipas prokurorisë, Davis ishte personi që drejtoi grupin e burrave të përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes, e cila dyshohet se erdhi si hakmarrje pas një përleshjeje ku ishte përfshirë nipi i tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme