Sulmet e fundit në Kiev dhe droni rus në Gjermani, Ministri Hoxha: Agresioni nuk do ta dobësojë vendosmërinë, sigurinë dhe unitetin e Evropës

Politikë | 2 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar me një postim në platformën “X” lidhur me sulmet e fundit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe incidentin e konfirmuar të një droni rus në Leipzig.

“Rusia ka demonstruar edhe një herë se agresioni i saj kundër Ukrainës nuk ndalet. Sulmet masive në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase, përfshirë sulmin e drejtpërdrejtë në Universitetin Kombëtar të Teknologjive Ushqimore, janë pjesë e një fushate brutale që vazhdon të vendosë civilët në rrezik,” shkruan Hoxha.

Ai thekson se Evropa dhe Shqipëria kanë qëndruar që nga dita e parë në krah të Ukrainës dhe duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë. “Ukraina mbetet vija e parë e kësaj lufte. Por është gjithnjë e më e qartë se shtrirja dhe ambiciet e Rusisë shtrihen shumë përtej Ukrainës,” vijon ministri.

Në reagimin e tij, Hoxha ndalet edhe te incidenti i dronit rus në Leipzig, duke e cilësuar si një kujtesë të fortë se Moska po teston kufijtë e sigurisë evropiane dhe po zgjeron aktivitetet destabilizuese në kontinent.

“Kërcënimi, agresioni dhe ndërhyrja hibride nuk do ta dobësojnë vendosmërinë e Evropës. Ato duhet të kenë efektin e kundërt: një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur. Ukraina po mbron tokën e saj. Evropa po mbron sigurinë e saj. Ne duhet të qëndrojmë së bashku në të dy frontet,” përfundon Hoxha.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme