Etika në raportimin e rasteve ekstreme, gazetarët përballë sfidës së raportimit profesional
Një nga sfidat e gazetarëve sot në raportimin e ngjarjeve fatale për jetën, që bëhet objekt i diskutimeve edhe në redaksi, është jo vetëm ruajtja e ekuilibrit profesional me atë njerëzor, por që sensacioni të mos shkaktojë të tjera tragjedi.
Aleanca kundër depresionit, në organizimin e një mediumi të gjerë diskutimi, vendos theksin te reduktimi i stigmës, ndërsa shifrat e vetëvrasjeve në radhët e moshave të treta janë të larta.
“Një nga problemet kryesore është raportimi dhe regjistrat e vetëvrasjeve që nuk janë shumë të saktë jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Europën. Tregon një fenomen i cili është shumë më i madh sesa ky që është i raportuar. Grupet më të rrezikuara, të paktën në Shqipëri sipas analizave, janë mbi 75 vjeç: 13 raste për 100.000 banorë, që është goxha e rritur në krahasim me vlerat kombëtare. Në moshat e treta kjo lidhet me shumë probleme sociale, sidomos vetminë.” – Arlinda Cerga Pashoja
Për ekspertët e shëndetit mendor edhe një pyetje e thjeshtë mund të parandalojë, “Pyetim si je sot, jam mirë dhe vazhdojmë rrugën, por shpesh ndonjëherë kur i pyet: po mirë, me të vërtetë si ndihesh, hap një derë komunikimi. Kërkoni ndihmë tek mjeku i familjes, në qendrat komunitare të shëndetit mendor.”
E pranishme në këtë tryezë diskutimi, Armela Krasniqi, kryetarja e AMA-s, bën thirrje për ndërgjegjësim të shtuar se; “Duhet ta kuptojmë të gjithë së bashku që në fakt klikimi nuk na prodhon besueshmërinë,” – theksoi Armela Krasniqi, kryetare e AMA.
Me qëllim nxitjen drejt një raportimi të përgjegjshëm dhe etik, por edhe me shpresën për të shkuar drejt minimizimit të ngjarjeve të rënda, Aleanca kundër depresionit në Tiranë hap konkursin “Gazetaria mbron jetën”, afati i fundit i të cilit është data 9 dhjetor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




