Përgatitjet e sezonit të ri/ Arbitrat e Kategorisë së Dytë përmbyllin seminarin 3-ditor

Futboll Vendi | 2 muaj më parë

Sektori i Arbitrimit në FSHF organizoi seminarin 3-ditor me arbitrat dhe asistentët e Kategorisë së Dytë, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri të Kategorisë së Parë, që ngre siparin këtë fundjavë.

Gjatë seminarit u zhvilluan sesione teorike dhe praktike, me fokus te vendimmarrja, pozicionimi, leximi i lojës, incidentet në zonën e penalltisë, prekjet me dorë, faullet dhe pozicioni jashtë loje. U trajtuan edhe ndryshimet e reja në Rregullat e Lojës dhe mënyrat e aplikimit të tyre gjatë ndeshjeve.

Pjesë e programit ishin edhe ushtrimet praktike në fushë, ku arbitrat dhe asistentët punuan mbi situata të ndryshme të lojës dhe bashkëpunimin mes tyre.

Gjithashtu, pjesë e rëndësishme ishin edhe testimet fizike, përmes të cilave arbitrat e Kategorisë së Dytë vlerësuan dhe testuan përgatitjen e tyre fizike në prag të sezonit të ri.

Seminare të tilla janë pjesë e punës së vazhdueshme të Sektorit të Arbitrimit në FSHF për përditësimin e njohurive, unifikimin e vendimmarrjes dhe rritjen e standardeve të arbitrimit në futbollin shqiptar, në prag të një sezoni të ri futbollistik.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme