Zhdukja e celularit të kapur si provë material në Burgun e Fierit, pezullohen 4 punonjës të IEVP

Një ngjarje e rëndë është zbardhur në Burgun e Fierit. Hetimet e zhvilluara me metoda speciale nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, kanë zbuluar zhdukjen e një prove materiale brenda ambientit të vuajtjes së dënimit.
Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja e ka zanafillën më 24 qershor 2026, gjatë një kontrolli rutinë të ushtruar në dhomën e të dënuarit Klevis Caka (K. C.). Edhe pse i burgosuri pranoi autorësinë e aparatit celular të gjetur në dhomën e tij, procesi hetimor mori një kthesë të papritur gjatë verifikimeve të mëtejshme.
“Gjatë kryerjes së veprimeve të para procedurale nga AMSEVP është konstatuar se në vendngjarje mungonte prova materiale, telefoni celular, për të cilin ishte raportuar dhe përpiluar raporti i incidentit,” bën të ditur njoftimi zyrtar i AMSEVP-së.
Pas raportimit të kësaj shkeljeje, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masa të rrepta sigurie për personat e përfshirë. Për shtetasit e paraburgosur K. C. dhe B. P. është vendosur masa “Arrest në burg”.
Ndërkohë, masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” janë caktuar për katër punonjës të IEVP Fier:
- B. – me detyrë përgjegjës i godinës B dhe C;
- H. – me detyrë punonjës i rolit bazë në sektor, godina A;
- H. – me detyrë punonjës i rolit bazë në sektor, godina A;
- M. – me detyrë punonjës i rolit bazë në sektor, godina A.
Përmes një deklarate për mediat, AMSEVP ka inkurajuar qytetarët dhe opinionin publik të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën apo shkeljeve ligjore nga ana e punonjësve të sistemit të burgjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





