Kostoja e ndërtimit të banesave në Shqipëri, rriten shpenzimet për paga e transport, ulen çmimet e materialeve

Ekonomi | 2 muaj më parë

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim për Banesa ka arritur në 114,7 në tremujorin e dytë të vitit 2026 (kundrejt periudhës bazë T4 2021), duke shënuar një rritje vjetore prej 1,1 %. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ky nivel rritjeje është identik me atë të regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndikimin kryesor në shtrenjtimin e kostos së ndërtimit e kanë dhënë shpenzimet për fuqinë punëtore dhe shërbimet. Sa i përket ecurisë vjetore të grupeve kryesore, INSTAT bën me dije se “rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin ‘Shpenzime për paga’ me 4,3 %, pasuar nga grupi ‘Kosto të tjera’ me 3,0 %, ‘Shpenzime transporti’ me 1,5 % dhe grupi ‘Shpenzime makinerie’ me 1,2 %”.

Në krahun tjetër, presioni mbi çmimet e lëndëve të para ka pësuar rënie të lehtë. Në raport theksohet se “grupi ‘Shpenzime materiale’ shënoi ulje me 0,6 %”, ku ulja më e ndjeshme brenda këtij zëri u regjistrua te nëngrupi “Materiale ndërtimi” me 0,9 %, i pasuar nga “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,7 % dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 0,1 %.

Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2026, indeksi i përgjithshëm i kostos së ndërtimit shënoi një rritje prej 0,3 %. Edhe në terma afatshkurtër, rritja më e lartë e çmimeve u shënua te “Shpenzime për paga” me 1,1 %, ndërsa te materialet e ndërtimit pati një korrigjim të lehtë me rritje prej 0,3 %.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme