Zjarri masiv në Fier përhapet në 6 fshatra, policia evakuon familjet, nis hetimi nga Prokuroria
Një zjarr i përmasave të mëdha, i nisur në fshatin Fermë Çlirim, është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë drejt Radostinës dhe disa fshatrave përreth, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme toke, bimësie, si dhe disa banesa e biznese.
Për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë me urgjencë në terren. Përmes një njoftimi zyrtar, autoritetet konfirmuan se “shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë për evakuimin e disa familjeve nga zonat e rrezikuara, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe duke marrë masa për shmangien e pasojave më të rënda”.
Për shkak të erës së favorshme për flakët, vatra e zjarrit është shtrirë në një perimetër të gjerë që përfshin fshatrat Fermë Çlirim, Radostinë, Levan, Peshtan i Vogël, Frakull dhe Zhupan. Në operacionin për izolimin e vatrës janë angazhuar trupat e Komisariatit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë (FKS), si dhe strukturat e emergjencave civile.
Paralelisht me aksionin në terren, kanë nisur edhe hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Policia bëri me dije se “grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit, nëse zjarri rezulton të jetë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme”.
Në përfundim, Drejtoria Vendore e Policisë Fier u bëri thirrje qytetarëve të shmangin djegien e mbetjeve bimore dhe të denoncojnë çdo rast të dyshimtë në numrin 112.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





