Zjarret në Fier, flakët përhapen drejt kodrave të Peshtanit dhe Frakullit. Vijon ndërhyrja nga ajri
Zjarri që prej ditës së djeshme ka përfshirë disa fshatra në Fier vijon të jetë aktiv, ndërsa flakët janë përhapur në drejtim të Peshtanit. Terreni i vështirë dhe mungesa e aksesit për mjetet zjarrfikëse po e bëjnë të vështirë ndërhyrjen në disa prej vatrave, ndërsa tashmë ka nisur edhe operacioni nga ajri.
Rreth 90 trupa të Forcave të Armatosura, nga Reparti i Poshnjës dhe Tiranës, kanë nisur ndërhyrjen në një prej vatrave më problematike në fshatin Frakull. Zjarri vijon të djeg një masiv me pisha, ku prania e lartë e tymit vështirëson operacionin.
Në perimetrin e vatrës janë pozicionuar edhe 7 mjete zjarrfikëse, së bashku me efektivët përkatës, të cilët po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve.
Ndërkohë, një tjetër vatër vijon të jetë aktive në drejtim të Peshtanit. Zona ku ka përparuar zjarri është aktualisht e paaksesueshme për mjetet, për shkak të terrenit të vështirë, por aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Zjarri nisi ditën e djeshme në Fermë Çlirim dhe, i favorizuar nga era e fortë, u përhap me shpejtësi në drejtim të Radostinës dhe fshatrave përreth. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me tokë dhe bimësi, ndërsa janë raportuar dëme edhe në disa banesa dhe biznese.
Perimetri i zjarrit është shtrirë në disa zona, duke përfshirë Fermë Çlirimin, Radostinën, Levanin, Peshtanin e Vogël, Frakullën dhe Zhupanin.
Për shkak të rrezikut nga përhapja e flakëve, gjatë orëve të fundit janë marrë masa për evakuimin e disa familjeve nga zonat më të ekspozuara, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë të monitorojnë situatën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




