Fier/ Ndezën zjarre në toka dhe zona të mbrojtura, 2 në pranga, 2 të tjerë procedohen penalisht

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohen se kanë shkaktuar zjarre në zona të ndryshme, ndërsa dy të tjerë janë proceduar penalisht për të njëjtën vepër.
Në fshatin Eskaj të Lushnjës, policia arrestoi shtetasin K. B., 60 vjeç, i cili u konstatua duke ndezur qëllimisht zjarr në një tokë që e kishte marrë me qira.
Ndërkohë, në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta, në fshatin Hasturkas, u arrestua shtetasi E. S., 25 vjeç, banues në Fier. Ai dyshohet se ka shkaktuar zjarrin në grykëderdhjen e lumit Seman, ku flakët përfshinë bimësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllëzuar, pjesë e zonave të mbrojtura.
Në një tjetër rast, për shkak të moshës, policia ka proceduar penalisht dy shtetas, 71 dhe 77 vjeç. Ata dyshohen se kanë ndezur zjarre në tokat e tyre, përkatësisht në fshatin Varibop të Fierit dhe në fshatin Çërrilë të Mallakastrës.
Sipas policisë, për shkak të erës së fortë, zjarret kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në sipërfaqe me bimësi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve dhe do të përballen me përgjegjësi ligjore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



