VIDEO/ Zjarri shkrumboi banesa e toka, ja çfarë lanë pas flakët që përfshinë Levanin
Shtëpi të shkrumbuara, ullishte të djegura dhe toka të nxira. Kjo është panorama që ka lënë pas zjarri i fuqishëm që përfshiu zonën e Levanit në Fier ditët e fundit.
Në videon e siguruar nga RTSH, pamjet tregojnë qartë gjurmët e zjarrit në territor. Sipërfaqe të tëra janë kthyer në terren të zi, ndërsa ullinjtë dhe pemët frutore janë përfshirë nga flakët. Në disa zona shihen ende pasojat e drejtpërdrejta të zjarrit, me banesa të dëmtuara dhe prona të shkrumbuara.
Nga flakët janë djegur dy banesa, ndërsa zjarri ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte dhe pemë frutore. Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në një biznes me koshere bletësh, i cili është shkrumbuar plotësisht.
Zjarri nisi në zonën e Fermë Çlirim, ndërsa i favorizuar nga era e fortë u përhap me shpejtësi në drejtim të Radostinës dhe fshatrave përreth, duke përfshirë një territor të gjerë.
Pamjet e filmuara pas shuarjes së flakëve tregojnë përmasat e dëmit të shkaktuar, me sipërfaqe të mëdha toke të nxira dhe bimësi të djegur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




