Sejko takon delegacionin e Bankës Botërore, në fokus ekonomia dhe pagesat elektronike

Ekonomi | 2 muaj më parë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka pritur në takim një delegacion të Bankës Botërore, me të cilin ka diskutuar zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend, si dhe procesin e integrimit të Shqipërisë me tregun financiar evropian.

Gjatë takimit, Sejko prezantoi situatën ekonomike dhe financiare, duke theksuar ecurinë pozitive të ekonomisë, rritjen e punësimit dhe të ardhurave, si dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Sipas tij, inflacioni vijon të jetë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa kursi i këmbimit dhe kushtet financiare mbeten faktorë të rëndësishëm për politikën monetare.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore, të përbërë nga: z. Massimiliano Paolucci, Përfaqësues i Zyrës së BB-së në Shqipëri; zj. Emilia Skrok, Menaxhere për Politikat Fiskale dhe Rritjen Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, vendet e BE-së, Moldavinë dhe Ukrainën; dhe zj. Angella Montfaucon, Ekonomiste e Lartë për Shqipërinë, vlerësuan zhvillimet pozitive të ekonomisë shqiptare dhe theksuan rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe vijimit të politikave të qëndrueshme ekonomike.

Një tjetër temë e diskutimit ishte modernizimi i sistemeve të pagesave dhe integrimi financiar i Shqipërisë me tregun evropian. Në këtë kuadër, Sejko u ndal te anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, i cili ka mundësuar transferta ndërkufitare në euro më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët.

Në fokus ishte edhe projekti TIPS Clone, sistemi shqiptar i pagesave të shpejta, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Bankën e Italisë, Bankën Qendrore Evropiane dhe sistemin bankar shqiptar.

Sipas Sejkos, projekti ndodhet në fazën përmbyllëse të implementimit dhe synohet që sistemi të jetë operacional në nëntor të vitit 2026.

TIPS Clone do të mundësojë pagesa në kohë reale, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, duke synuar rritjen e shpejtësisë dhe sigurisë së transaksioneve, si dhe uljen e kostove për qytetarët dhe bizneset.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore përgëzuan Bankën e Shqipërisë për progresin në modernizimin e sistemeve të pagesave dhe anëtarësimin në SEPA, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm në përgatitjen e vendit për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Në përfundim, palët ranë dakord të vijojnë bashkëpunimin për forcimin e kuadrit financiar dhe institucional, si dhe për modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturës së pagesave në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme