Vritet në Itali 35-vjeçari shqiptar, dyshohet se u ekzekutua për larje hesapesh droge

Vritet në Itali 35-vjeçari shqiptar Ferdinand Hoti, banor në Mirano. Mediat italiane raportojnë se, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shqiptari është ekzekutuar për një larje hesapesh të lidhur me trafikun e drogës. Trupi i pajetë i 35-vjeçarit u gjet brenda një automjeti tip Fiat Bravo pa targa dhe pjesërisht i zhytur në ujërat e kanalit Tergola në provincën e Padovës.
Ferdinand Hoti u identifikua nga karabinierët e Padovës përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe provave të tjera të mbledhura gjatë hetimit. Sipas konstatimeve të para mjeko-ligjore, 35-vjeçari ishte qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt. Në momentin e vrasjes, ai kishte duart e lidhura, çka përforcon dyshimet e hetuesve se bëhet fjalë për një ekzekutim.
Mjeku ligjor Rafi El Mazloum, i cili kreu ekzaminimin e trupit, ka konstatuar gjithashtu se viktima kishte ndërruar jetë para se trupi të përfundonte në ujë. Në mushkëri nuk janë gjetur gjurmë uji, duke përjashtuar kështu mundësinë që 35-vjeçari të jetë mbytur. Aktualisht, karabinierët po rindërtojnë lëvizjet e fundit të viktimës, veçanërisht takimet dhe personat me të cilët ai është parë mbrëmjen e së hënës, 7 shtator.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




