Kapen në Portin e Durrësit 107.7 kg kanabis “Gelato” që vinin nga Kanadaja, droga me vlerë 1.2 milionë euro, dy persona në kërkim
Një tjetër rast i dyshuar i trafikimit të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë është goditur në Portin e Durrësit. Operacioni policor i koduar “Anchor 2” ka çuar në sekuestrimin e 107.7 kilogramëve kanabis të llojit “Gelato”, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 1.2 milionë eurosh.
Operacioni është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.
Në kuadër të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria, strukturat e policisë kanë ushtruar kontroll në Portin e Durrësit, konkretisht në një kontejner të ardhur nga Kanadaja.
Brenda kontejnerit ndodheshin dy automjete dhe një kamper, të cilat janë bërë objekt i një kontrolli të imtësishëm nga autoritetet.
Gjatë kontrollit të kamperit, hetuesit kanë zbuluar hapësira të modifikuara posaçërisht për fshehjen e lëndës narkotike. Hapësirat ishin të mbuluara me veshje druri, duke e bërë të vështirë evidentimin e tyre gjatë kontrolleve të zakonshme.
Në këto vende të posaçme u gjetën të fshehura 190 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa të llojit “Gelato”. Pas peshimit, sasia totale e lëndës narkotike rezultoi 107.7 kilogramë.
Sipas përllogaritjeve të autoriteteve, vlera e kësaj sasie kanabisi në treg kap rreth 1.2 milionë euro.
Por kontrollet nuk janë kufizuar vetëm te lënda narkotike. Gjatë kontrollit të kamperit janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, edhe 43 cigare elektronike. Disa prej tyre kishin mbishkrime që deklaronin se përmbanin nivel të lartë THC.
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, autoritetet dyshojnë se lënda narkotike sigurohej në Kanada dhe më pas transportohej drejt Shqipërisë. Sipas hetimeve, trafikantët dyshohet se përdornin automjete të porositura për blerje, në të cilat krijoheshin dhe modifikoheshin paraprakisht vende të posaçme për fshehjen e drogës.
Kjo mënyrë transporti dyshohet se synonte të shmangte zbulimin e lëndës narkotike gjatë kalimit të kufirit dhe kontrollit në port.
Në vijim të operacionit, policia ka shpallur në kërkim dy shtetas, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Për shkak të nevojave të hetimit, autoritetet nuk kanë bërë me dije identitetet e tyre.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën e dyshuar të trafikimit dhe për të përcaktuar rolin e personave të përfshirë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës po punojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale janë kaluar në Prokurori, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme hetimore dhe procedurale për këtë rast.
Operacioni “Anchor 2” vjen në kuadër të goditjes së rasteve të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe transportit të drogës nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




