Gjirokastër, sezon i suksesshëm për hotelerinë. Vjeshta e rezervuar që një vit më parë, operatorët po punojnë për paketat dimërore

Aktualitet | 2 muaj më parë

Sezoni turistik në Gjirokastër po vijon me një ritëm pozitiv për sektorin e hotelerisë. Fluksi i vizitorëve gjatë muajve të verës ka sjellë më shumë aktivitet për strukturat akomoduese dhe të ardhura për ekonominë lokale. Kryetari i Shoqatës së Hotelerisë në Gjirokastër, Gentian Bineri, thotë se rezultatet deri tani kanë qenë të kënaqshme, ndërsa një ndikim të rëndësishëm kanë pasur edhe aktivitetet e organizuara nga bashkia.

“Përgjithësisht ka qenë e kënaqshme në ndryshim nga korriku, gushti ka qenë një muaj i mbarë, kryesisht me turistë individual. Kemi pasur një sërë koncertesh artistike, evenimentesh që kanë bërë dhe më të larmishme vizitën e tyre. Shtatori, tetori priten dhe janë parashikuar të mbara sepse kemi rezervime mbi një vit para. Kryesisht me agjenci jemi plot të themi me rezervimet. Po punojmë për paketa dimërore për të krijuar një atmosferë pozitive, pritëse për gjithë turistët”, u shpreh Bineri.

Por krahas rezultateve pozitive, sektori i hotelerisë vijon të përballet edhe me problematika. Nevojat për përmirësimin e shërbimeve, infrastruktura dhe sigurimi i fuqisë punëtore mbeten disa prej sfidave për bizneset, të cilat synojnë që Gjirokastra të jetë një destinacion aktiv jo vetëm gjatë muajve të pikut të verës.

“Mendoj që përgjithësisht problematikat janë minimizuar, gjithmonë ka problematika. Po punojmë së bashku me të gjithë operatorët, qoftë edhe me institucionet për të minimizuar. Në përgjithësi problematikat janë minimizuar dhe turistët shijojnë atë kënaqësinë e tyre”, tha ai.

Turizmi tashmë është një nga burimet e rëndësishme të të ardhurave për Gjirokastrën, me efekt ekonomik që nuk ndalet vetëm te hotelet. Vizitorët gjenerojnë të ardhura edhe për restorantet, bizneset artizanale, guidat turistike dhe shërbime të tjera që lidhen me sektorin. Me rezervime që vijojnë edhe për muajt e ardhshëm, pritshmëria e hotelierëve është që kjo lëvizje ekonomike të ruajë ritmin edhe pas kulmit të sezonit veror.

Gazetare: E.  Domeri       

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme