Mashtruan të huajt me investime online, SPAK godet grupin kriminal me bazë në Tiranë. Ekzekutohen 8 masa sigurie

Tetë masa sigurie janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit, në kuadër të një hetimi të SPAK për mashtrim kompjuterik përmes shitjeve dhe investimeve online. Tre prej të dyshuarve janë arrestuar me burg, dy të tjerë janë vendosur në arrest shtëpie, ndërsa për dy persona është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Sipas SPAK, personat dyshohen si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, që kryente mashtrime kompjuterike ndaj shtetasve gjermanë dhe personave të tjerë në Europë.
Hetimi nisi në vitin 2021, ndërsa më 16 mars 2022, me vendim të GJKKO-së dhe në kuadër të kërkesës për ndihmë juridike nga autoritetet gjermane, u kryen kontrolle në ambientet e qendrës së thirrjeve “Bluenergycall” në Tiranë, ku u sekuestruan pajisje dhe të dhëna elektronike.
Nga analizimi i të dhënave kompjuterike, sipas hetuesve, është zbuluar skema e mashtrimit. Personat e mashtruar kontaktoheshin nga agjentët e qendrës së thirrjeve dhe ftoheshin të investonin në bursa ndërkombëtare, duke depozituar paratë në platforma online që rezultonin të ishin mashtruese. Paratë transferoheshin në llogari bankare në vende të ndryshme, mes tyre Bullgari, Lituani, Poloni dhe Qipro, dhe më pas zhdukeshin përmes transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptomonedha.
SPAK thotë se hetimet kanë provuar se aktiviteti kriminal realizohej përmes dy adresave IP të përdorura nga “Bluenergycall” në Shqipëri. Të dhënat elektronike të sekuestruara gjatë kontrolleve janë analizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane, konkretisht me Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme të Bambergut për krimet kibernetike.
Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK kishte dërguar më herët për gjykim pronarin dhe IT-në e qendrës së thirrjeve, si dhe 11 shtetas të tjerë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, masat e sigurisë të ekzekutuara më 9 shtator janë rezultat i një pune të gjatë për analizimin e të dhënave kompjuterike dhe krahasimin e tyre me prova të tjera të sekuestruara.
“Gj, G.Sh dhe E.P – “Arrest me burg”, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale;“Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Gj. K. B. dhe I.G – “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, të dyshuar për vepren penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Gj dhe Dh.L – “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si të dyshuar për veprat penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 143/b paragrafi 2 të Kodit Penal”, njofton SPAK.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



