Ish-Këneta në protestë, banorët: Kërkojmë investime dhe pastrim të kanaleve

Aktualitet | 2 muaj më parë

Banorë të zonës së ish-Kënetës në Durrës dolën në protestë këtë të enjte, duke bllokuar për rreth një orë rrugën “Vllazërimi”. Dhjetëra qytetarë, kërkuan ndërhyrje konkrete për zgjidhjen e problematikave infrastrukturore dhe parandalimin e përmbytjeve.

Protestuesit u shprehën se mungesa e investimeve në infrastrukturë vijon të krijojë probleme të përsëritura për banorët e zonës, veçanërisht gjatë reshjeve intensive. Sipas tyre, pjesa më e madhe e familjeve të prekura janë përmbytur tre herë gjatë periudhës janar 2025–janar 2026.

Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë protestës ishte mungesa e dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit. Banorët deklaruan se ende nuk kanë marrë kompensimin e premtuar për dëmet e pësuara në banesa dhe pasuri.

Përveç dëmshpërblimeve, banorët kërkojnë nga pushteti vendor ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës. Ndër problematikat e evidentuara prej tyre janë mungesa e kazanëve të mbeturinave, mosmirëmbajtja dhe mospastrimi i kanaleve kulluese, si dhe ndotja mjedisore.

Gjatë protestës, qarkullimi i automjeteve u bllokua pjesërisht përgjatë aksit rrugor. Protesta u zhvillua pa incidente.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme