Bllokimi i pagave mban në bojkot gjykatat-Administrata dhe sekretariatet kërkojnë pagesën e gushtit, vijojnë vetëm seancat për masat e sigurisë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Edhe këtë të premte, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, dhomat civile dhe penale nuk kanë ofruar shërbime për qytetarët. Po ashtu, puna është bojkotuar edhe në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe në Apelin Administrativ. Në protestë prej katër ditësh është edhe Gjykata e Apelit të Përgjithshëm në Tiranë. E vetmja gjykatë që po vijon punën është Gjykata e Posaçme.

Gjatë këtyre katër ditëve janë zhvilluar vetëm seancat me natyrë urgjente, sipas parashikimeve ligjore, konkretisht seancat për ndryshimin, zëvendësimin apo shuarjen e masës së sigurisë.

Pagat e punonjësve të sistemit të drejtësisë janë bllokuar nga Thesari i Shtetit, pasi listëpagesat e dorëzuara në Ministrinë e Financave për muajin gusht reflektonin rritjen e pagave të magjistratëve, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi nuk u miratua deri më 31 korrik nga Kuvendi, duke bërë që pagat të përllogariteshin me formulën e re nga vetë KLP-ja dhe KLGJ-ja. Qeveria nuk ra dakord me këtë përllogaritje, duke e konsideruar ndërhyrje të pushtetit gjyqësor, dhe si pasojë pagat u bllokuan për të gjithë sistemin.

Pavarësisht se shoqatat e gjyqtarëve i janë drejtuar SPAK-ut me kallëzim ndaj ministrit të Financave për këtë çështje, ende nuk ka një zgjidhje. Çështja pritet të diskutohet në Kuvend më 17 shtator.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme