Përmirësohet situata e zjarreve- 32 vatra në 24 orë, 28 të shuara dhe vetëm një aktive në Kurbin

Ministria e Mbrojtjes informoi sot se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, prej të cilave 28 janë shuar plotësisht, 3 mbeten nën mbikëqyrje dhe vetëm 1 vatër vijon aktive.
Në operacionet për përballimin e zjarreve janë angazhuar 426 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 92 efektivë, 10 mjete, 1 dron dhe 1 autoambulancë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata paraqitet ndjeshëm më e përmirësuar.
Në Qarkun Tiranë, vatra në Malin e Dajtit, ku gjatë ditës së djeshme operuan edhe 33 forca ushtarake, është fikur, ndërsa e fikur rezulton edhe vatra në Malin me Gropa.
Në Qarkun Dibër, vatrat në Lundre–Madhesh, bashkia Mat, në Cerrujë të Klosit dhe në Selishtë mbahen nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara.
E vetmja vatër aktive mbetet ajo në fshatin Gallatë, njësia administrative Milot, Bashkia Kurbin, e ardhur nga territori i Bashkisë Mat. Terreni i vështirë pengon operimin e mjeteve, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qarkun Shkodër, vatrat në Porav, Rragam dhe malin e Tërbunit rezultojnë të fikura.
Po ashtu, janë fikur vatrat e raportuara në Mallakastër, Elbasan dhe Korçë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Po ashtu, kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




