Vendimi për ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator, BE: Të respektohet nga të gjitha shtetet dhe palët. Vendimi mund të apelohet

Kosovë | 2 muaj më parë

Bashkimi Europian bëri të shtunën thirrje për respektimin nga të gjitha shtetet dhe palët të vendimit që Dhomat e Specializuara të Kosovës, siç quhet Gjykata Speciale me seli në Hagë për krimet që pretendohet se janë kryer nga ish-anëtarët e UÇK-së gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të japin për katër ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.

“Në prag të shpalljes së vendimit të shkallës së parë kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, i bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, shkruhet në një përgjigje që Brukseli i ka dhënë interesit të mediave në Kosovë.

Për Dhomat e Specializuara të Kosovës, BE rishprehu mbështetje, ndërsa kujtoi se ajo gjykatë ishte themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës.

Për vendimin që pritet të shpallet për katër ish-krerët e UÇK-së dhe ish-zyrtarët e lartë, Bashkimi Europian u shpreh se ai nuk ishte fundi i një procesi gjyqësor dhe se mund të apelohej.

Në datën 16 shtator, Gjykata Speciale pritet të japë verdiktin e saj për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza këto që ish-zyrtarët e lartë, të cilët ndodhen në paraburgim që nga viti 2020, i kanë hedhur poshtë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme