Protesta kundër ndërtimit, Rama: Muzeu Hebraik dhe Muzeu “Labëria” do të jenë krenari për Vlorën

Politikë | 2 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një proteste kundër projektit në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës, duke i akuzuar se po përhapin pretendime të rreme. Në një reagim në X, Rama shprehet se kantieri i Muzeut Hebraik përfaqëson një projekt të rëndësishëm për kujtesën historike të Vlorës dhe rolin e qytetit në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Po ashtu Kryeministri deklaron gjithashtu se Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë dollarë për hartimin e projektit për Rilindjen e Muzeut “Labëria”, të cilin këtë të fundit e cilëson si një godinë të degraduar që do të rikthehet në një hapësirë të rëndësishme për qytetin.

Rama thekson se Muzeu “Labëria” dhe Muzeu Hebraik do të jenë “një tjetër derë e hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike”.

“Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko Pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës – një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë e të lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore – me pretendimin pervers dhe shpifarak se medemek po u shkatërroka Muzeu Labëria ose ndryshe Muzeu Etnografik.

Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon këtë ritual sulmesh mbi kantieret e transformimit epokal të Vlorës, por populli vlonjat duhet ta dijë që, me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë USD për hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria, një karakatinë e degraduar totalisht që do të kthehet, krahas Muzeut Hebraik, në një tjetër derë të hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike.

Dhe Lesko Pijaniku do të vrapojë tek kantieret e radhës, njësoj siç vrapon përnatë pas kecave e pulave që shoqërojnë rrëketë e rakisë në gurmazin e pangopur të tij”, shkruan Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme