Nufi: Shqiptaria marshon për lirinë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për Kosovën

Kosovë | 2 muaj më parë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi iu bashkua mesazheve në mbështetje të “Marshit për liri” që po zhvillohet sot në Prishtinë, duke theksuar sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

Përmes një reagimi, Nufi u shpreh se “shqiptaria krejt marshon për lirinë”, duke vënë në dukje se mijëra qytetarë janë bashkuar në Prishtinë për të kujtuar ata që, sipas tij, u ngritën në ditët më të vështira dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Nufi theksoi se liria nuk është dhuratë, por rezultat i sakrificës, kujtesës dhe përgjegjësisë, ndërsa kërkoi respekt dhe dinjitet për ata që luftuan për Kosovën.

Në mesazhin e tij, ministri përmendi ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke i cilësuar si simbole të luftës për lirinë e Kosovës dhe duke shprehur mbështetje për rikthimin e dinjitetit dhe lirisë së tyre.

“Kjo sakrificë sublime s’duhet të harrohet kurrë”, shkroi Nufi, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe respektit për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për idealin e lirisë së Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme