70-vjeçarët që nuk e braktisin tokën. Çifti Ranzi, nga vreshta te vera, gjithçka me duart e tyre

Bujqësi | 2 muaj më parë

Fermerët të cilët merren me vreshtarinë me ardhjen e muajit shtator nisin një proces të rëndësishëm atë të vjeljes. Edhe çifti Ranzi ka nisur gjatë këtyre ditëve procesin e vjeljes së rrushit.

“Vitet e tjera janë vjelur më vonë se ka qenë natyra më e mirë. E ka ranë nganjëherë shi, ndërsa këtë vit është thatësirë e madhe’, tha fermeri.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë sezon çifti kanë vendosur të mbledhin vetë rrushin në rreth 3 dynym vresht, pasi mungesa e fuqisë punëtore e ka bërë të pamundur gjetjen e njerëzve për punë sezonale.

“Nuk gjejmë fuqi punëtore dhe po e bëj vetë sa të mundem”, tha ai.

Teksa vijon punën mes rreshtave të vreshtës, 70-vjeçari nga Vau i Dejës ka edhe një mesazh për të gjithë fermerët dhe pronarët e tokave bujqësore. Ai apelon që toka të mos lihet djerr, pasi sipas tij, çdo copë tokë e punuar është një mundësi më shumë për të prodhuar dhe për të mbajtur gjallë traditën e bujqësisë.

“Është gjynah me e lë në djerrë”, tha ai.

Përkushtimi i tij nuk përfundon me vjeljen. Tonini kujdeset vetë për të gjithë procesin, që nga mirëmbajtja e vreshtës, vjelja e rrushit, e deri te prodhimi tradicional i verës dhe rakisë, duke ruajtur një traditë të trashëguar ndër breza.

Historia e Toninit dhe Marijës është dëshmi se dashuria për tokën dhe puna nuk njohin moshë. Edhe në të 70-at, ata vazhdojnë të punojnë krah për krah, duke mbajtur gjallë traditën dhe duke dhënë një shembull frymëzues për brezat e rinj.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme