Kosova miraton qeverinë e re. Kurti rikthen kabinetin e njëjtë qeveritar: Asnjë gjykatë s’mund ta njollosë UÇK-në

Kosovë | 2 muaj më parë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti me 62 vota pro. Në seancë nuk marrën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, por vetëm ligjvënësit e Listës Serbe dhe deputetët e komuniteteve.

Kabineti i ri qeveritar mbetet i pandryshuar në përbërje, ndërsa  Kurti ka bërë të ditur gjithashtu prioritetet dhe zotimet e qeverisë së re, duke theksuar se nuk do të ketë një ekspoze të re, pasi zgjedhjet e përsëritura, sipas tij, vetëm kanë ndërprerë të njëjtën qeverisje.

Gjatë prezantimit të kabinetit, kryeministri në detyrë Albin Kurti u ndal edhe te procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.

Kurti tha se në Kosovë ekziston ankth në prag të vendimit dhe e cilësoi kërkesën e Prokurorisë si të padrejtë dhe të pabesueshme.

“Të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit. Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë, e pabesueshme, në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe me drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës për këtë çështje do të mbetet i njëjtë dhe i qartë.

“Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato janë kryer nga regjimi i Jugosllavisë së Serbisë, nën udhëheqjen e Millosheviqit. Asnjë gjykatë vendore e ndërkombëtare s’mund ta njollosë UÇK-në”, tha Kurti.

Kabineti i ri qeveritar përbëhet nga:

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës – Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim – Fikrim Damka

Ministër i Financave – Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare – Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike – Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës – Hajrulla Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit – Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë – Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal – Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit – Dimal Basha

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit – Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë – Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal – Rasim Demiri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme