Të rinjtë drejt skenës, këshillat e dramaturgut Skënder Demolli për një të ardhme në aktrim

Kulturë | 2 muaj më parë

Loja aktoriale po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj, të cilët e shohin skenën si një mundësi për të shprehur talentin, emocionet dhe kreativitetin e tyre.

Por përtej dëshirës për t’u bërë aktorë, rruga drejt suksesit kërkon punë, përkushtim dhe mbi të gjitha një identitet të veçantë artistik. Sipas dramaturgut korçar Skënder Demolli, dy janë këshillat kryesore për të rinjtë që duan të ndërtojnë një të ardhme në aktrim.

E para është leximi i vazhdueshëm i librave dhe këshilla e dytë lidhet me përzgjedhjen e roleve. Të rinjtë duhet të kërkojnë personazhe që mbeten në mendjen e spektatorit.

“Kur them që duhet të lexojnë, nuk them vetëm letërsi, nuk them vetëm dramaturgji, por them se duhet të lexojnë edhe psikologji, duhet të shikojnë edhe ekspozita, duhet të shikojnë edhe piktura, duhet të dëgjojnë edhe muzikë, sepse arti i ka të gjitha, ashtu siç i ka të gjitha edhe njeriu brenda. Në qoftë se një aktor do të krijojë karaktere dhe të bëhet aktor i madh, siç u bë Kadri Roshi, siç u bë Violeta Manushi, e cila është një aktore komike e Korçës”, u shpreh dramaturgu Demolli.

Për dramaturgun, arti i aktrimit nuk ndërtohet duke kopjuar të tjerët, por duke gjetur atë që e bën çdo aktor të veçantë. Pikërisht ky origjinalitet dhe personalizim i roleve mund t’i ndihmojë të rinjtë të hedhin hapa të sigurt në rrugën e bukur të artit.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme