Kurti kërkon kompromis për presidentin, thirrje partive politike: Të mos shkojmë sërish në zgjedhje

Kosovë | 2 muaj më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga partitë politike që të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, duke vlerësuar se vendi nuk duhet të përfshihet edhe një herë në një proces zgjedhor.

Një ditë pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë së re, Kurti tha se institucionet kryesore tashmë janë funksionale dhe se zgjedhja e presidentit mbetet hapi i fundit për përmbylljen e procesit institucional.

Kurti theksoi se institucionet e reja përballen me një sërë detyrash dhe sfidash që kërkojnë bashkëpunim politik.

“Përpara kemi shumë punë e projekte, sfida dhe probleme dhe natyrisht që vetëm bashkërisht do t’i dalim mbanë. Qeverisja jonë e përbashkët është punë për qytetarin dhe mbrojtje për shtetin. Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën”, tha ai.

Duke iu referuar krizës së kaluar politike, kryeministri tha se Kosova ka kaluar nëpër dy palë zgjedhje brenda një periudhe relativisht të shkurtër, të cilat, sipas tij, kanë qenë të kushtueshme dhe nuk kanë prodhuar një ndryshim të madh në skenën politike.

Kurti theksoi se aktualisht ekziston një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për president, ndërsa sfida mbetet sigurimi i numrit të nevojshëm të votave në Kuvend.

“Jemi kaq afër zgjidhjes për presidentin saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë”, deklaroi Kurti.

Ai u bëri thirrje deputetëve dhe liderëve politikë që të lënë mënjanë dallimet dhe të punojnë për një marrëveshje që do t’i mundësonte Kosovës zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, një tjetër proces zgjedhor nuk do të sillte domosdoshmërisht ndryshime në përbërjen politike të vendit dhe do të ishte në dëm të interesit publik.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik më të madh në vend e në Kuvend, ju bëj thirrje liderëve politikë, kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë. Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sjellë diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”, u shpreh Kurti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme