Trajnerit Spalletti i përfundojnë bonuset te Juventusi, tifozët duan rikthimin e Conte-s

Humbje e pashpjegueshme me Sassuolo-n. Carnevali: Nuk jam nga ata që ndërrojnë trajnerë, por … Klubi kërkon kthesën e menjëhershme.
Humbja e fundit në kampionat ka lënë një shije shumë të hidhur në skuadrën bardhezi. Kundër Sassuolo-s u pa versioni më i shëmtuar i Juventus-it dhe në Continassa mërzitja është shumë e madhe pas asaj ndeshjeje pa entuziazëm.
Mungesat në mesfushë patjetër që ndikojnë, por ata që njollosën skuadrën ndaj Sassuolo-s janë besnikët e trajnerit Spalletti, apo ata që duhej të gabonin më pak individualisht, sepse janë më ekspertë se të tjerët. Trajneri toskan ka marrë përgjegjësitë dhe në të njëjtën kohë nuk e ka fshehur pakënaqësinë për disa gabime të papritura.
Fjala është për lojtarë si Bremer, që stonoi në ndeshjen e parë si kapiten, Kalulu dy marshe më pak, apo edhe Lucumi. Kolo Muani nuk jep sinjale, Woltemade i jep, por jo në drejtimin e kërkuar.
Klubi pret diçka tjetër nga trajneri që në prill rinovoi kontratën deri në 2028-ën. Llogaritë e Spalletti-t janë me të kuqe, mesatarja e pikëve nga nëntori i kaluar është e ulët, më e ulët se kolegët Chivu, Fabregas, Gasperini. “Nuk jam nga ata që ndërrojnë trajnerë, por humbja e Reggio Emilia-s duhet të jetë një mësim”, – tha drejtori i përgjithshëm bardhezi, Giovanni Carnevali.
Kjo deklaratë do të thotë se ai nuk është i rrezikuar tani për tani, por do të rrezikonte shumë, nëse nuk fshin shpejt konfuzionin dhe mënyrën e të menduarit të lojtarëve të tij. Në kampin bardhezi ndërkohë rritet “partia” e atyre që ëndërrojnë rikthimin e Antonio Conte-s, aktualisht i lirë. Spalletti është në provim, bonuset për të kanë përfunduar me humbjen në Reggio Emilia.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




