Nisin punimet për Bypass-in e Elbasanit, Karakaçi: Do t’i japim zgjidhje trafikut

Aktualitet | 2 muaj më parë

Kanë nisur punimet për ndërtimin e Bypass-it të Elbasanit, një projekt që synon të lehtësojë trafikun në qytet dhe të krijojë një lidhje më të integruar mes akseve kryesore rrugore të vendit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se punimet kanë nisur në segmentin që lidhet me përfundimin e autostradës Tiranë–Elbasan. Sipas ministrit, projekti do të ndihmojë në zgjidhjen e trafikut të rënduar në Elbasan, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

“Do të jetë autostradë e kategorisë A, sipas të njëjtave standardeve që është aktualisht sot rruga Tiranë-Elbasan. I japim zgjidhje trafikut të krijuar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe sidomos gjatë sezonit turistik. Dy kontratat janë lidhur tashmë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Segmenti i parë që fillon menjëherë aty ku përfundon rruga Tiranë – Elbasan tashmë ka filluar nga punimet. Punimet janë duke ecur mirë për shkak se edhe kantieri është i hapur nga shpronësimet e bëra që më herët”, tha Karakaçi.

Aktualisht, punimet janë përqendruar në 3 kilometrat e parë të segmentit, të cilat pritet të shtrihen deri në zonën e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit.

“Në këtë fazë jemi në 3 kilometrat e parë që përfundojnë diku te kombinati metalurgjik i Elbasanit, ndërkohë që kemi në prokurim po ashtu në vitin pasardhës pjesën vijuese deri afër Peqinit”, tha ministri.

Bypass-i i Elbasanit konsiderohet një projekt me rëndësi për lidhjen e disa korridoreve strategjike rrugore. Ai do të mundësojë ndarjen e trafikut që vjen nga juglindja dhe jugu i Shqipërisë, ndërsa do të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes autostradës Tiranë–Elbasan, bypass-it të Elbasanit dhe korridorit Elbasan–Qafë Thanë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme