Shkollat marrin pamje të re në Shkodër, katër institucione të përfunduara, investime edhe në kopshte e çerdhe

Arsim | 3 orë më parë

Viti i ri shkollor në Shkodër nis me një tjetër pamje për 4 prej institucioneve arsimore. Shkolla të rikonstruktuara tërësisht, ndërsa në të tjerat punimet vijojnë, në kuadër të ndërhyrjeve për përmirësimin e kushteve ku nxënësit zhvillojnë mësimin.

Krahas shkollave, vëmendje i është kushtuar edhe çerdheve e  kopshteve.

Këtë vit, Bashkia Shkodër ka filluar me një bum investimesh. Është hapur edhe shkolla “Kolidromeno”. Po vazhdojmë edhe me investimet e vitit të kaluar, kur u hap shkolla “Ndre Mjeda”.

Po vazhdojmë me shkollën “Ismail Qemali”, që është në Zonën Nr. 1, në zonën A. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe kopshteve dhe çerdheve. Kemi “Bebushën”, që është një ndër kopshtet më të mëdha dhe që do të hapet brenda javës. Kemi edhe “Tonalim Hillin”, ku vazhdojnë punimet. Njëkohësisht, vijojnë punimet edhe në kopshtin “Njomës” dhe me radhë.

Por këtë vit, Bashkia Shkodër ka fituar edhe dy investime të tjera, siç është “Oso Kuka”, ku do të ndërtohet palestra, si edhe dy fusha polisportive për basketboll dhe volejboll. Njëkohësisht, kemi edhe shkollën “10 Korriku”, që ndodhet në Lagjen Nr. 1.”, u shpreh Gjozef Kulla, Drejtor, Bashkia Shkodër.

Përmirësimi i kushteve duket se ka ndikuar edhe në zgjedhjen e prindërve për regjistrimin e fëmijëve.

Në institucionet ku janë kryer ndërhyrje, interesi për regjistrimet e reja ka qenë i dukshëm, duke sjellë më shumë kërkesa për regjistrim në fillim të këtij viti shkollor.

Pjesa më e madhe e rritjes vjen nga fakti që fëmijët po kalojnë nga sektori privat në atë shtetëror. Mund të përmendim edhe kopshtin “1 Qershori”, që është mbrapa shkollës ku ne jemi, “Kol Idromeno”. Vitin e kaluar kishte një numër prej 25 fëmijësh, ndërsa sot ky numër ka shkuar në 70. Njëkohësisht, kemi edhe “Bebushën”, e cila ka pasur një numër prej 220 fëmijësh, ndërsa aktualisht kërkesa është për 200 e më shumë fëmijë”, tha ai.

Investimet në infrastrukturën arsimore synojnë të përkthehen në kushte më të mira për nxënësit, por edhe në më shumë interes të familjeve për këto shkolla.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme