Turizmi, sfidë fuqia punëtore/Bizneset mbështeten tek familjarët dhe të huajt
Ndërsa turizmi në Malësinë e Madhe po njeh një zhvillim të vazhdueshëm, popullsia vendase vijon të tkurret, duke sjellë mungesë të krahut të punës, një problematikë kjo që shoqëroi edhe sezonin veror të këtij viti.
Për të përballuar fluksin e vizitorëve në shumë biznese, bujtina, restorante e struktura të tjera turistike, puna ndahet mes familjarëve, duke i kthyer këto sipërmarrje në modele të vogla ekonomike që funksionojnë kryesisht falë bashkëpunimit brenda familjes.
“Ndër sfidat kryesore është çështja që lidhet me fuqinë punëtore. Është një sfidë që realisht është adresuar mjaft mirë nga strukturat tona, sepse strukturat tona kanë një tipologji të veçantë. Janë kryesisht biznese familjare, ku të gjithë janë të angazhuar. Pra, e gjithë familja është e angazhuar në biznes dhe, në këtë mënyrë, ata ia kanë dalë shumë mirë ta adresojnë këtë problematikë”, u shpreh Eristian Smajlaj, Specialisti i Turizmit, Bashkia Malësi e Madhe.
Ndërsa në pikat më të frekuentuara turistike të Malësisë së Madhe, zgjidhja e mungesës së punonjësve po kërkohet edhe përtej kufijve. Bujtina dhe hotele po angazhojnë gjithnjë e më shumë edhe shtetas të huaj.
“Ka pasur disa subjekte, gjithsej, që kanë punësuar individë nga vendet e treta, si Bangladeshi, India e të tjerë. Duhet theksuar që janë shumë pak në numër. Realisht, kjo është ajo që duhet theksuar: janë shumë pak në numër, sepse, siç thashë, e kanë adresuar këtë problematikë duke u nisur nga fakti që punojnë me ekonomi familjare, pra janë të angazhuar të gjithë anëtarët e familjes”, tha ai.
Sipas strukturave vendore, sezoni veror i këtij viti në Malësinë e Madhe ka shënuar rritje të numrit të turistëve të huaj, krahasuar me një vit më parë. Me peizazhet e saj malore, atraksionet natyrore, trashëgiminë kulturore dhe traditat e pasura, Malësia e Madhe po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një prej destinacioneve të preferuara të turizmit malor në Shqipëri.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




