Kosova “me sytë” nga Haga, qindra qytetarë mblidhen në Prishtinë në pritje të aktgjykimit

Kosovë | 2 orë më parë

Vetëm pak minuta para shpalljes së aktgjykimit në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qindra qytetarë janë mbledhur në qendër të Prishtinës, pranë shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Me flamuj të UÇK-së në duar, qytetarët janë mbledhur për të shprehur mbështetjen e tyre për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, ndërsa presin vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gazetarja Edona Podvorica raporton se pamjet nga qendra e Prishtinës kujtojnë marshimin e 12 shtatorit, të organizuar nën moton “Liria ka emër”, ku mijëra qytetarë shprehën mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së. Interesi i qytetarëve për të ndjekur nga afër zhvillimet në Hagë është i madh. Në qendër të Prishtinës është vendosur një ekran i madh, ku qytetarët po ndjekin drejtpërdrejt seancën e shpalljes së aktgjykimit.

Atmosfera në kryeqytetin e Kosovës është e ngarkuar emocionalisht, ndërsa qytetarët presin vendimin që do të shpallet nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara.

Dhomat e Specializuara të Kosovës pritet të shpallin sot, 16 shtator, aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi. Gjatë procesit gjyqësor që zgjati prej vitesh, u dëgjuan 134 dëshmitarë dhe u shqyrtuan mijëra materiale provuese.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme