Në pritje të verdiktit për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, qytetarë mblidhen pranë Speciales në Hagë. Gazetarja Jonida Omeri sjell detaje
Qytetarë janë mbledhur pranë ndërtesës së Dhomave të Specializuara në Hagë, në pritje të nisjes së seancës ku do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Disa qytetarë mbajnë flamuj të UÇK-së, ndërsa të tjerë kanë pasur me vete fotografi të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Nga Haga, gazetarja e RTSH-së, Jonida Omeri, bëri me dije se autoritetet holandeze kanë marrë masa të posaçme për mbarëvajtjen e situatës.
Sipas saj, në një park shumë pranë ndërtesës së Dhomave të Specializuara është vënë në dispozicion një hapësirë ku qytetarët shqiptarë mund të presin dhe të ndjekin zhvillimet lidhur me vendimin. Në këtë hapësirë është vendosur edhe një monitor.
Ndërkohë, autoritetet holandeze kanë bërë të ditur se jashtë ambienteve të Dhomave të Specializuara nuk lejohet prania e mbështetësve të UÇK-së, përveç mediave, familjarëve dhe autoriteteve.
Gazetarja Omeri ka raportuar gjithashtu edhe për një incident të ndodhur me Endrit Thaçin, djalin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Incidenti ka qenë lajmërim nga autoritet holandeze ku teksa ka mbërritur djali i Hashim Thaçit ka patur ovacione dhe thirrje patriotike dhe kjo ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve të cilët i kanë bërë një lajmërim djalit të Thaçit ku i kanë theksuar që do të duhet që kjo seancë të shkojë mirë dhe situata të jetë e qetë jashtë ambienteve të Gjykatës. Më pas Endrit Thaçi është futur në ambiente e gjykatës, në pjesën e galerisë ku ndodhen edhe familjarë të tjerë”, tha Omeri.
Sipas saj, pas këtij momenti, Endrit Thaçi është futur në ambientet e gjykatës, në pjesën e galerisë ku ndodhen edhe familjarë të tjerë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, presin sot aktgjykimin e shkallës së parë në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, ndërsa të katërt i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




