Gjyqi në Hagë, trupi gjykues: Të katërt penalisht përgjegjës për krime lufte. Vepruan së bashku për një qëllim kriminal. Thaçi, anëtar kyç

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë tha se ka konstatuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Gjatë leximit të aktgjykimit, trupi gjykues theksoi se përgjegjësia e katër të akuzuarve është individuale, por konstatoi se ata kanë vepruar së bashku dhe kanë arritur marrëveshje për një qëllim të përbashkët kriminal.
Sipas gjyqtarit Charles Smith, katër të akuzuarit kanë ngritur së bashku objekte ndalimi, kanë caktuar persona të tjerë në role dhe pozita për realizimin e këtij qëllimi, si dhe kanë lëshuar komunikata përmes të cilave kanë përhapur qëndrimet dhe politikat e tyre.
Sipas gjykatësit Smith, ata ngritën bashkërisht objekte ndalimi, u caktuan personave të tjerë role dhe pozita për realizimin e këtij qëllimi dhe lëshuan komunikata përmes të cilave përhapnin qëndrimet dhe politikat e tyre.
Trupi gjykues: Thaçi, anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit
Sa i përket Hashim Thaçit, trupi gjykues konstatoi se ai kishte dhënë kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe e cilësoi si “anëtar kyç” në formulimin dhe zbatimin e tij. Sipas trupit gjykues, Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve të ndryshme përmes përdorimit të “luftës speciale”, ndërsa gjykata konstatoi gjithashtu se ai mori pjesë personalisht në krime.
“Thaçi dha kontribut në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët. Thaçi, ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët. Drejtoria Politike kishte kompetencë ekskluzive mbi vendimet e UÇK-së. Thaçi, sëbashku me të akuzuar të tjerë, emëroi persona besnik duke mundësuar që ata të kishin rol në UÇK dhe që urdhrat e tyre të zbatoheshin. Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve të ndryshme përmes përdorimit të luftës speciale. Mori pjesë personalisht në krime”, tha gjykatësi.
Trupi Gjykues: Veseli, kontribut të qenësishëm në qëllimin e përbashkët
Për Kadri Veselin, trupi gjykues tha se ai kishte dhënë “kontribut të qenësishëm” në zbatimin e qëllimit të përbashkët.
“Veseli dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Veseli së bashku me të akuzuar e tjerë emëroi persona besnikë në pozita kyçe për të siguruar zbatimin efektiv të qëllimit të tyre. Mori pjesë në kryerjen e krimeve, u përfshi personalisht në zbatimin e luftës speciale të Shtabit të Përgjithshëm, u përfshi në procesi e identifikimit dhe shënjestrimit të kundërshtarëve. Kishte dijeni për krimet e kryera”.
Trupi Gjykues: Selimi, rol në krijimin e zonave operative
Për Rexhep Selimin, trupi gjykues konstatoi gjithashtu se ai kishte dhënë “kontribut të qenësishëm” në realizimin e qëllimit të përbashkët.
Sipas Smith, Selimi luajti rol thelbësor në krijimin e zonave operative. Trupi gjykues theksoi se krijimi i këtyre zonave, në vetvete, nuk ishte kriminal, por sipas konstatimeve të tij, Selimi i vizitoi shpesh këto zona dhe mori informacione për persona të dyshuar.
“Zoti Selimi ka kontribut të qenësishëm në kryerjen e qëllimit të përbashkët. Luajti rol thelbësor në krijimin e zonave operative. Krijimi i zonave operative nuk ishte kriminel, por sidoqoftë, zoti Selimi i vizitoi shpesh këto zona dhe mori informacione për persona të dyshuar. Ishte i vetëdijshëm se njësitë e UÇK-së që i inspektonte, po shënjestronin persona të caktuar për shkak të qëllimit të përbashkët. Ishte në dijeni se kjo ishte objektiva e UÇK. Në përputhje me qëllimin e përbashkët, emëroi persona besnik në pozicione kyçe, shumë prej të cilëve kryen krime, apo ishin në dijeni. Po ashtu inkurajoi dhe mori pjesë në krime të ndryshme. Mori pjesë në arrestimin e 13 parlamentarëve. Kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh ndaj kundërshtarëve dhe nuk ndërmori asnjë hap për ndalimin apo ndëshkimin e këtyre krimeve, përkundrazi inkurajoi kryerjen e këtyre krimeve”, deklaroi Smith.
Smith: Krasniqi, struktura dhe organe për zbatimin e politikës ndaj kundërshtarëve
“Zoti Krasniqi dha kontribut të qenësishëm në arritjen e qëllimit të përbashkët. Emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe krijoi struktura dhe organe si Policia Ushtarake dhe Njësitë Speciale me detyrën zbatimin e politikës kundër kundërshtarëve. Kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera ndaj kundërshtarëve. Veçanërisht për ndalimin, arrestimin dhe vrasjen e paligjshme të tyre. U angazhua në përpjekje promovimin e kryerjes së këtyre krimeve. Të katër të akuzuar kishin qëllimin e përbashkët dhe dhanë kontribut të qenësishëm në arritjen e tij. Ndaj trupi gjykues konstatoi se të 4 të akuzuarit janë përgjegjës për krimet e luftës së ndalimit arbitrar ndaj 385 personave, trajtimit mizor, torturë dhe vrasjes së paligjshme ndaj 96 personave”, u shpreh Smith.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



