Gjyqi në Hagë/ Ish-kreu i UÇK, Hashim Thaçi dënohet me 25 vite burg për krime lufte

Kosovë | 1 orë më parë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për një sërë krimesh lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata e Specializuar në Hagë. Trupi gjykues e shpalli Thaçin penalisht përgjegjës për krime lufte që përfshijnë ndalimin e paligjshëm, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme, të kryera gjatë luftës në Kosovë. Për këto vepra, trupi gjykues shqiptoi dënimet përkatëse: 15 vjet burgim për krimin e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm; 4 vjet burgim për krimin e luftës të trajtimit mizor; 20 vjet burgim për krimin e luftës të torturës; 23 vjet burgim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme.

Megjithatë, trupi gjykues vendosi një dënim unik prej 25 vjetësh burgim, ku do të llogaritet edhe koha që Thaçi ka kaluar në paraburgim. “Trupi gjykues ju dënon me një dënim të unifikuar me 25 vite burgim, në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, u deklarua gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Po ashtu, Thaçi u shpall fajtor për trajtim mizor si krim lufte ndaj së paku 45 personave, për torturë si krim lufte ndaj së paku 303 personave, si dhe për vrasje të paligjshme si krim lufte ndaj së paku 96 personave.

Sipas aktgjykimit, trupi gjykues e shpalli Thaçin të pafajshëm për një numër incidentesh të tjera të përfshira në akuzat për krime lufte, për të cilat, sipas gjykatës, nuk u vërtetuan elementet e nevojshme për përgjegjësi penale ose u konstatua se incidentet përkatëse nuk ishin provuar në përputhje me standardin e kërkuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme