Gjykata Speciale dënon Jakup Krasniqin me 25 vjet burg
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur fajtor ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi për akuzat e ngritura ndaj tij për krime lufte.
Pas gati gjashtë vjetësh në paraburgim, trupi gjykues e ka dënuar atë me 25 vjet burgim.
Sipas vendimit, Krasniqi u shpall penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
“Jakup Krasniqi, shpalleni fajtor për arrestim të paligjshëm si krim lufte, kryer kundër së paku 385 personave. Trajtim mizor si krim lufte, kryer kundër së paku 49 personave. Torturë si krim lufte, kryer kundër së paku 303 personave dhe vrasje të paligjshme si krim lufte kryer kundër 96 personave. Shpalleni i pafajshëm për një numër krimesh luftesh, sepse nuk u vërtetuan. I pafajshëm për përpndjekje, burgosje, akte çnjerëzore dhe zhdukje me forcë. Dënimi përcaktohet me dënim më vete për secilën vepër penale. Më pas dënimi i njëhsuar. 15 vite burg për arrestim të paligjshëm, 4 vite për trajtim mizor, 20 vjet për torture dhe 23 për vrasje të paligjshme. Denoheni me dënim të njëhsuar mer 25 vite, ku llogaritet dhe koha e kaluar në paraburgim”, u shpreh gjyqtari.
Ky është një nga vendimet më të rëndësishme të Gjykatës Speciale, e cila prej vitesh po shqyrton dosjet e ish-krerëve të UÇK-së, duke sjellë në fokus përgjegjësinë individuale për veprimet e kryera gjatë konfliktit.
Trupi gjykues konstatoi se Jakup Krasniqi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh, veçanërisht për ndalime të paligjshme, keqtrajtime dhe vrasje.
Sipas gjykatësit Charles Smith, pavarësisht kësaj dijenieje, Krasniqi nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar ose ndëshkuar ato.
Përkundrazi, trupi gjykues konstatoi se ai u angazhua në përpjekje për të mohuar kryerjen e këtyre krimeve, përfshirë gjatë takimeve me përfaqësues ndërkombëtarë.
“Në rrethanat rënduese, trupi gjykues i dha peshë keqpërdorimit të pushtetit që kishte. Trupi gjykues konstatoi se ai përdori rolin dhe pushtetin e tij për zbatimin e aspekteve kriminale.
Në rrethanat lehtësuese, trupi gjykues i dha peshë moshës, rrethanave familjare dhe faktit se, përgjithësisht, ka treguar sjellje të mirë. Këtu përfundon”, tha gjykatësi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



